Secondary Adv

Fondet IPA III të BE, hyn në fuqi marrëveshja e financimit për 100 mln euro deri në 2027

Bashkimi Europian do të vërë në dispozicion të Shqipërisë 100 milionë euro në kuadër të programit IPA III për periudhën 2025–2027, me fokus forcimin institucional, sundimin e ligjit dhe integrimin ekonomik me BE-në.

Shpërndarja e fondeve në tre vite

Sipas marrëveshjes së financimit të botuar në Fletoren Zyrtare, fondet do të disbursohen në tre vite: 33.5 milionë euro në vitin 2025, 30 milionë euro në vitin 2026 dhe 36.4 milionë euro në vitin 2027. Komisioni Europian thekson se angazhimet për vitet 2026 dhe 2027 varen nga miratimi i buxhetit vjetor të Bashkimit Europian.

 

Sundimi i ligjit dhe Reforma në Drejtësi

Një pjesë e konsiderueshme e financimit do të përqendrohet te sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe demokracia. Programi synon vijimin e Reformës në Drejtësi përmes forcimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe mbështetjen e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Fondet do të përdoren edhe për adresimin e mungesës së magjistratëve dhe për vijimin e transformimit të sistemit gjyqësor pas riorganizimit të gjykatave.

 

Qeverisja e mirë dhe administrata publike

Në shtyllën e qeverisjes së mirë, IPA III mbështet zbatimin e Udhërrëfyesit për Reformën e Administratës Publike 2023–2030, me synim modernizimin e shërbimit civil, përmirësimin e menaxhimit të financave publike, avancimin e digjitalizimit, rritjen e transparencës dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit. Krijimi i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në vitin 2024 vlerësohet si hap drejt koordinimit më efikas të reformave.

 

Ekonomia e gjelbër dhe integrimi industrial

Një tjetër fokus i rëndësishëm lidhet me ekonominë e gjelbër dhe integrimin e Shqipërisë në zinxhirët e furnizimit industrial të BE-së, veçanërisht në fushën e lëndëve të para kritike. Programi synon prodhim dhe përpunim të qëndrueshëm, përmbushje të standardeve europiane për mjedisin, transparencën dhe qëndrueshmërinë, në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Ri të Rritjes.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat